Lëvizja

Rekomandimi për Kryeministrin Albin Kurti mbi anulimin e kufizimit për FSK-në

Rekomandimi për Kryeministrin Albin Kurti mbi anulimin e kufizimit për FSK-në

Zotimi i bërë nga ish-kryeministri Hashim Thaçi në vitin 2013 për të mos dërguar Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) në veri pa miratimin paraprak të NATO-s ishte një veprim i njëanshëm i qeverisë së atëhershme. Ky angazhim, siç reflektohet në letrën dërguar sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, nuk është pjesë e një marrëveshjeje dypalëshe, por një deklaratë njëanshme që mund të ndryshohet po ashtu në mënyrë të njëanshme nga kryeministri aktual.

Pse Kurti duhet ta anulojë këtë zotim njëanshëm?
1. Një veprim njëanshëm mund të përfundohet njëanshëm: Ashtu si Thaçi mori këtë vendim pa ndonjë marrëveshje formale ose obligim ligjor të dypalëshëm, Kurti ka të drejtën dhe fuqinë të heqë këtë kufizim në të njëjtën mënyrë. Nuk është e nevojshme një pëlqim nga NATO për të anuluar një angazhim të tillë, pasi ai nuk ka qenë kurrë pjesë e një marrëveshjeje të ratifikuar.
2. Rrethanat kanë ndryshuar: Situata në veri të Kosovës është shumë ndryshe nga ajo e vitit 2013. Kërcënimet ndaj sovranitetit të Kosovës dhe nevoja për praninë e FSK-së në atë zonë kanë bërë që ky zotim të jetë i papërshtatshëm për rrethanat e sotme.
3. Forcimi i sovranitetit të Kosovës: Një anulim i tillë do të demonstronte vendosmërinë e qeverisë së Kosovës për të vepruar në mënyrë të pavarur dhe në përputhje me interesat e saj kombëtare.

Rekomandimet tona për Albin Kurtin:
Njoftim formal: Kurti duhet t’i dërgojë një letër zyrtare NATO-s, duke njoftuar anulimin e zotimit të vitit 2013. Në letër, ai duhet të shpjegojë arsyet e ndryshimit të qëndrimit, duke u fokusuar në rrethanat e reja të sigurisë dhe nevojën për të mbrojtur sovranitetin e Kosovës.

Ashtu si Hashim Thaçi mori këtë angazhim në mënyrë të njëanshme, Albin Kurti ka të drejtën dhe përgjegjësinë për ta anuluar atë në të njëjtën mënyrë. Ky hap do të përforconte pozicionin e Kosovës si një shtet sovran dhe do t’i mundësonte institucioneve të saj të ushtrojnë autoritetin e tyre pa kufizime të panevojshme.

🇽🇰🇽🇰🇽🇰 #FSK #AlbinKurti #NATO #BesfortRrecaj

Më shumë publikime